
Gazetarja Klodiana Lala zbulon prapaskenat e atentatit në Rinas, duke e cilësuar ngjarjen si një larje hesapesh dhe paralajmërim të drejtpërdrejtë për Emiljano Shullazin.
Gazetarja Klodiana Lala ka dhënë detaje të reja në lidhje me atentatin e ndodhur në Rinas, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos rëndë Muçi Shaljani, i njohur edhe si Sheqeri. Sipas saj, atentati dyshohet të jetë një veprim për larje hesapesh, por me një mesazh të qartë për ish-kreun e grupit të njohur të Shullazit.
Lala thekson se vrasja e Danit, i konsideruar si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, është një goditje simbolike që synon të tregojë se as ai nuk është i paprekshëm. “Duke qenë se Shullazin nuk e arrinin dot, pasi ndodhet në qeli, autorët kanë zgjedhur të godasin njeriun e tij më të afërt,” u shpreh gazetarja.
Sipas saj, ekziston dyshimi se Dani është tradhtuar nga një person i afërt, dikush që kishte dijeni për lëvizjet e tij dhe për itinerarin që do të ndiqte në ditën e atentatit. Hetimet po përqendrohen pikërisht në këtë pistë, ndërsa autoritetet po verifikojnë lidhjet e mundshme mes grupimeve rivale që kanë pasur konflikte me rrethin e Shullazit.
