
Deputetët europianë reagojnë ndaj kërcënimeve me tarifa dhe akuzojnë Uashingtonin për cenim të sovranitetit të Danimarkës dhe Groenlandës
Parlamenti Europian ka vendosur të pezullojë punën për masat e reja tregtare mes Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, si reagim ndaj presionit të shtuar të presidentit amerikan Donald Tramp për çështjen e Groenlandës.
Vendimi u bë i ditur pasi ligjvënësit europianë akuzuan administratën amerikane se po minon sovranitetin e Danimarkës dhe të Groenlandës përmes kërcënimeve ekonomike, përfshirë vendosjen e tarifave ndëshkuese ndaj disa vendeve europiane.
Sipas burimeve parlamentare, pezullimi i procesit vjen pas deklaratave të Tramp, i cili ka paralajmëruar tarifa prej 10 për qind ndaj tetë vendeve europiane nëse nuk pranohet hapja e negociatave për kalimin e Groenlandës nën kontrollin e SHBA. Ky qëndrim ka shkaktuar shqetësim të fortë në Bruksel, ku theksohet se presioni tregtar nuk mund të përdoret si mjet për qëllime gjeopolitike.
Deputetë nga disa grupe politike kanë deklaruar se me këto kërcënime Tramp ka thyer frymën e bashkëpunimit transatlantik dhe ka vënë në pikëpyetje marrëveshjen politike të arritur më herët mes BE dhe SHBA për lehtësimin e tregtisë.
Nga ana tjetër, përfaqësues të administratës amerikane kanë mbrojtur qëndrimin e presidentit, duke argumentuar se Groenlanda ka rëndësi strategjike për sigurinë kombëtare të SHBA dhe se tarifat janë një instrument legjitim presioni.
Pezullimi i punës për marrëveshjen tregtare pritet të thellojë më tej tensionet mes Uashingtonit dhe Brukselit, në një moment kur marrëdhëniet transatlantike po përballen me sfida të reja politike, ekonomike dhe strategjike.
