
Pezullohet infrastruktura nxjerrëse në Patos-Marinzë pas ndërhyrjes së Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka bllokuar aktivitetin financiar dhe prodhues të kompanisë Bankers Petroleum, në kuadër të një çështjeje që lidhet me dyshime për evazion fiskal. Lajmi është konfirmuar nga vetë kompania përmes një njoftimi zyrtar.
Sipas reagimit të Bankers Petroleum, autoritetet doganore kanë ndërhyrë duke bllokuar infrastrukturën nxjerrëse në vendburimin e Patos-Marinzës, një nga asetet më të rëndësishme të kompanisë në vend. Ky veprim ka sjellë ndalimin e menjëhershëm të aktivitetit prodhues në zonë.
Deri në këto momente, autoritetet nuk kanë dhënë detaje të plota mbi shkeljet e konstatuara, ndërsa pritet që në vijim të ketë sqarime zyrtare lidhur me natyrën e hetimit dhe masat e ndërmarra ndaj kompanisë.
Bllokimi i aktivitetit të Bankers Petroleum konsiderohet një zhvillim me ndikim të rëndësishëm për sektorin e energjisë dhe ekonominë, ndërsa çështja mbetet nën vëzhgim për zhvillimet e mëtejshme institucionale.
