
Sistemi i ri Entry/Exit (EES) zëvendëson vulat tradicionale me teknologji digjitale. Udhëtarët nga vendet jashtë BE do të kalojnë përmes kamerave, skanerëve të fytyrës dhe gjurmëve të gishtave, një revolucion që premton siguri, por ngre edhe pyetje për privatësinë.
Nga nesër, kufijtë e Bashkimit Evropian do të funksionojnë ndryshe. Vulat në pasaportë, simboli i udhëtimit për dekada, do të zhduken, duke ia lënë vendin sistemit të ri biometrik “Entry/Exit System” (EES). Ky është një nga projektet më të mëdha teknologjike të BE për kontrollin e kufijve, që synon të modernizojë lëvizjen e pasagjerëve dhe të monitorojë më saktë flukset e migracionit.
Në vend të vulës në pasaportë, udhëtarët nga vendet jashtë Bashkimit Evropian, përfshirë SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Izraelin, Japoninë apo Brazilin, do të regjistrojnë automatikisht të dhënat e tyre biometrike në terminalet digjitale të aeroporteve dhe pikave kufitare. Procesi përfshin skanimin e pasaportës, gjurmët e gishtave dhe njohjen e fytyrës.
Sistemi do të regjistrojë çdo hyrje dhe dalje në zonën Shengen për qëndrime deri në 90 ditë, duke ruajtur të dhënat për një periudhë trevjeçare. Fëmijët nën 12 vjeç përjashtohen nga dhënia e shenjave të gishtërinjve.
Qëllimi i sistemit është të përshpejtojë kalimin kufitar dhe të shmangë radhët e gjata në terminale. Por mbi të gjitha, Brukseli e sheh si një mjet strategjik për të kontrolluar më mirë hyrjet, daljet dhe refuzimet, në kuadër të menaxhimit të migracionit.
Sipas Komisionit Evropian, projekti ka kushtuar mbi 142 milionë euro dhe është ndërtuar nga një konsorcium ndërkombëtar që përfshin kompanitë IBM (SHBA), Leonardo (Itali) dhe Atos (Francë).
Megjithëse BE siguron se të dhënat do të ruhen në mënyrë të sigurt dhe do të fshihen pas tre vitesh, organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kanë ngritur shqetësime mbi mundësinë e abuzimit me të dhënat biometrike dhe mbikëqyrjen masive të qytetarëve.
Zyrtarët evropianë e cilësojnë sistemin si fillimin e një epoke të re të udhëtimit inteligjent. Në prill 2026 pritet funksionimi i plotë në të gjitha aeroportet dhe pikat kufitare të BE.
Nga nesër, për shumë udhëtarë, hyrja në Evropë nuk do të shoqërohet më me një vulë në pasaportë, por me një pamje, një shenjë gishti dhe një klik të qetë në sistemin biometrik që po zëvendëson një traditë shekullore të lëvizjes njerëzore.