
Huh Ltd në administrim, afro 5 mijë blerës rrezikojnë të humbasin paratë ndërsa borxhet arrijnë mbi gjysmë milioni paund
Një tjetër goditje për konsumatorët në Mbretërinë e Bashkuar. Marka britanike e modës Huh Ltd ka hyrë zyrtarisht në administrim dhe mijëra klientë rrezikojnë të mos marrin as produktet e porositura dhe as rimbursimin e parave të paguara.
Sipas dokumenteve të depozituara në Companies House, kompania ka rreth 575 mijë paund borxhe, nga të cilat mbi 162 mijë paund u detyrohen drejtpërdrejt 4 983 klientëve. Administratorët kanë paralajmëruar se shanset për rikuperimin e parave janë shumë të ulëta, për shkak të mungesës së aseteve të mjaftueshme.
Pronari i kompanisë, Jack Lowe, kishte siguruar më herët klientët se rimbursimet do të realizoheshin, por administratorët e çështjes kanë hedhur poshtë këtë mundësi. Administratori ka sqaruar se kostot e vetë procesit të administrimit mund të arrijnë deri në rreth 58 781 paund, duke e rënduar edhe më shumë situatën financiare.
Përveç klientëve, kompania i detyrohet edhe HMRC-së mbi 73 mijë paund, ndërsa një kompani daneze mobiliesh rezulton kreditore me rreth 111 mijë paund. Hetimet për mënyrën e menaxhimit dhe aktivitetin tregtar të Huh Ltd vijojnë, me qëllim identifikimin e çdo aseti të mundshëm që mund të shërbejë për shlyerjen, qoftë edhe pjesërisht, të kreditorëve.
Pak para falimentimit, marka ishte përballur me një valë të fortë kritikash, duke grumbulluar rreth 3 000 vlerësime me një yll në Trustpilot. Shumë klientë raportonin porosi të papërmbushura dhe pamundësi për të kryer kthime ose për të marrë rimbursime.
Autoritetet këshillojnë konsumatorët e prekur që të regjistrohen si kreditorë dhe të ndjekin procedurat zyrtare përmes administratorëve të caktuar, megjithëse paralajmërojnë se shanset për kthimin e plotë të parave janë minimale.
