
Të afërmit kërkojnë korrigjimin e raportimeve dhe sqarim të plotë të rrethanave që çuan 30-vjeçarin brenda një koshi industrial ku u aksidentua fatalisht.
Familja e Sajmir Becës, 30-vjeçarit shqiptar që humbi jetën pas një aksidenti të rëndë në Northampton të Britanisë së Madhe, ka reaguar publikisht duke kundërshtuar disa raportime britanike që e kanë paraqitur të ndjerin si person të pastrehë. Të afërmit thonë se kjo është “e pavërtetë dhe e padrejtë”, ndërsa theksojnë se i riu kishte shtëpi dhe një familje të qëndrueshme.
Sipas policisë britanike, ngjarja ndodhi më 31 tetor 2025, kur Sajmiri u gjet brenda një koshi të madh industrial në zonën e Wellington Street dhe u godit nga një kamion mbeturinash gjatë procesit të zbrazjes. Ai u dërgua me urgjencë në spitalin e Coventry-t, ku ndërroi jetë më 6 nëntor si pasojë e plagëve të rënda.
Familjarët, përmes një deklarate të dërguar për JOQ Albania, kanë shprehur zhgënjimin e thellë për mënyrën se si disa media britanike kanë trajtuar rastin, duke i atribuar të ndjerit një situatë sociale që sipas tyre nuk përputhet me realitetin. Ata theksojnë se informacionet e pavërteta kanë shtuar dhimbjen e familjes në një moment tragjik.
Për më tepër, të afërmit kërkojnë që mediat të shmangin spekulimet, pasi ende nuk ka një shpjegim të qartë se si Sajmiri ka përfunduar brenda koshit të mbeturinave. Policia ka përcaktuar vetëm shkakun mjekësor të vdekjes, ndërsa hetimet për rrethanat mbeten në zhvillim.
Familja apelon për respekt dhe privatësi në këtë periudhë të rëndë, duke kërkuar që kujtimi i Sajmirit të trajtohet me dinjitet dhe që faktet e pasakta të korrigjohen sa më shpejt.
