
Rrethi i ngushtë i familjes Kalaja ka reaguar mes dhimbjes për ikjen e njeriut të tyre të shtrenjtë, gjyqtarit Astrit Kalaja. Ai humbi jetën dje, në moshën 60 vjeçare, pasi u qëllua me armë zjarri në sallën e gjyqit nga Elvis Shkambi.Astrit Kalaja ishte i martuar dhe kishte tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë. Lira Parruca, kushërirë e gjyqtarit të ndjerë, ka shkruar disa vargje prekëse për ikjen e tij të parakohshme dhe të padrejtë, në krye të detyrës që e ushtronte prej dy dekadash.”I dashur Tit, do të më mungojnë bisedat me ty… prania jote, energjia jote e mirë, qetësia që përçonte zëri yt, dhe mënyra si arrije ta bëje çdo gjë të dukej më e thjeshtë dhe më e lehtë.
Ti do të jetosh përgjithmonë në zemrën time si shembulli më i bukur i një njeriu që ndriçonte jo vetëm në profesion, por mbi të gjitha në shpirt. Humbja jote është e rëndë, e pabesueshme… por kujtimi yt do të mbetet i paharruar për mua dhe për këdo që pati fatin të të njohë”, shkruan Lira Parruca.
Titi, siç e quan ajo, ishte shumë më tepër sesa një gjyqtar i ndershëm dhe një profesionist i jashtëzakonshëm. Kushërira e gjyqtarit të Apelit që me reformën gjyqësore ishte transferuar nga Shkodra në Tiranë, thotë se kryeqendra e veriut do ta ndjejë mungesën e drejtësisë së tij.”Ai mishëronte mirësinë, fisnikërinë dhe ndershmërinë e rrallë. Ishte i dashur, i qetë, me një zgjuarsi që të binte menjëherë në sy, me humor të hollë dhe me një ndjeshmëri të thellë për njerëzit. Gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar, gjithmonë pranë të tjerëve — sepse kështu ishte zemra e tij: e madhe, e hapur, e pastër”, vijon shënimi.Lira Parruca i shkruan dhe bashkëshortes së Astrit Kalasë, zonjës Valbona Kalaja, që Zoti t’u japë forcë për të përballuar këtë dhimbje të madhe.”Bona e dashur, në këtë dhimbje të paimagjinueshme, dua të të them se jam me ty me gjithë shpirt. E di që nuk ka fjalë që mund ta lehtësojnë këtë plagë, por zemra ime është pranë jush. Të përqafoj fort ty dhe tre fëmijë e mrekullueshëm që ishin gjithçka për Titin, dhe që do të mbajnë gjithmonë në vete një copëz nga dashuria, forca dhe drita që ai u dha me gjithë qenien e tij”, përmbyllet mesazhi.