Shtëpia ku u themelua PKSH-ja
Pronari i shtëpisë ku u themelua PKSH-ja ishte Hasan Kurdari, një furrtar privat. Pas lufte ishte vazhdimisht i pakënaqur. Fliste për gjendjen në Shqipëri se nuk i dihej se kur do shpëtonin nga e keqja që i kishte zënë.
Kur u formua PKSH-ja, shtëpinë ia kishte marrë me qira Xhemal Haxhicani. Edhe ky pati probleme me regjimin sepse u internua pas lufte në Skrapar si “element antiparti”. Vite më vonë, Fatos Xhemal Haxhicani u arrestua më 5.3.1971 kur ishte ushtar në Gjirokastër. U dënua me 10 vjet heqje lirie për orvatje arratisje. Vdiq në burgun e Burrelit më 12.12.1975 me hemorragji cerebrale. Eshtrat i humbën me ndërtimin e stadiumit të Burrelit në vitin 1978, siç humbën përfundimisht edhe eshtrat e shumë të dënuarve të tjerë të atij burgu.
Shtëpia u shemb rreth vitit 2000 për ndërtimin e pallateve.
