
Ish-shefja e diplomacisë së BE akuzohet për favorizim në një program trajnimi të financuar nga fondet e Unionit
Skandalet në institucionet e Bashkimit Evropian vijojnë të thellohen, ndërsa Prokuroria Evropiane ka ngritur akuza për mashtrim ndaj Federica Mogherinit, ish-përfaqësuese e lartë për politikën e jashtme dhe aktualisht rektore e Kolegjit të Europës në Bruges. Hetimi lidhet me dyshime për favorizim gjatë përzgjedhjes së një programi formimi për diplomatët e rinj, i cili u financua nga fondet e BE dhe iu atribua pikërisht Kolegjit të Europës.
Të martën, zyrat e Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm në Bruksel dhe ambientet e Kolegjit në Bruges u kontrolluan nga policia federale belge me urdhër të Prokurorisë Evropiane, e cila ka mandatin të mbrojë buxhetin e BE dhe të ndjekë penalisht abuzimet financiare. Hetimet përfshijnë periudhën kur Mogherini drejtonte diplomacinë e Unionit, nga viti 2014 deri në vitin 2019.
Së bashku me Mogherinin u vendosën në ndalim edhe ish-sekretari i përgjithshëm i SEAE, Stefano Sannino, si dhe një menaxher i Kolegjit të Europës, i cili shërbente si këshilltar i retores. Të tre personat janë tashmë të akuzuar, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë mbi provat e mbledhura apo mbi dimensionin financiar të dyshuar të çështjes.
Ky zhvillim vjen vetëm pak vite pas skandalit të njohur si Qatargate, duke shtuar edhe një herë presionin mbi institucionet e BE-së për transparencë dhe llogaridhënie në administrimin e fondeve të Unionit.
