
Dy shkolla në juglindje të Melburnit u futën në izolim, ndërsa një 11-vjeçar u mor në pyetje nga policia për sulmin e rëndë në Brentwood Park Primary School
Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin e Berwick në Melburn, pasi një fëmijë 8-vjeçar u qëllua me thikë brenda shkollës fillore Brentwood Park. Sulmi ndodhi mëngjesin e së enjtes, në momentin që ora e mësimit po niste. Si pasojë, si Brentwood Park Primary School ashtu edhe Kambrya College, që ndodhen në të njëjtën rrugë, u vendosën menjëherë në izolim.
Viktima 8-vjeçare dhe një punonjëse e shkollës që mori lëndime të lehta u trajtuan nga ekipet e emergjencës në ambientet e shkollës dhe nuk u dërguan në spital. Sipas policisë së Viktorias, autori i dyshuar është një 11-vjeçar, nxënës i klasës së pestë, i cili dyshohet se sulmoi fillimisht një mësuese dhe më pas dy nxënës të tjerë nga klasa e parë dhe e dytë.
Gjatë kontrollit të çantës së tij, hetuesit gjetën edhe dy thika të tjera kuzhine. Fëmija u lokalizua nga policia, u mor në pyetje dhe më pas u dërgua për vlerësim mjekësor.
Departamenti i Arsimit njoftoi se shkolla zbatoi të gjitha protokollet e sigurisë dhe se po ofron mbështetje psikologjike për stafin dhe nxënësit e prekur nga incidenti. Ndërkohë, prindër të shqetësuar vijuan të merrnin fëmijët nga shkolla përgjatë gjithë paradites dhe pasdites.
Ngjarja vjen në vazhdën e disa episodeve të tjera të rënda në shkolla të Melburnit, ku raportimet për fëmijë dhe të rinj të armatosur me mjete të ftohta kanë sjellë mbyllje të përsëritura të institucioneve arsimore. Vetëm javët e fundit, disa shkolla janë futur në izolim pas raportimeve për adoleshentë me hanxharë në zona të ndryshme të qytetit.
Policia ka bërë apel për këdo që ka pamje, dëshmi ose informacione të tjera mbi incidentin, të kontaktojë linjën e Crime Stoppers.
