
Teksa protestat shtypen me dhunë dhe mijëra raportohet se kanë humbur jetën, elita e re iraniane shfaq pasuri ekstreme dhe jetë nate, duke thelluar revoltën shoqërore
Ndërsa nga Irani dalin dëshmi tronditëse për shtypjen brutale të protestave kundër regjimit, ku burime të brendshme flasin për mbi dhjetë mijë viktima, një tjetër fenomen po ndez zemërimin e opinionit publik: të rinjtë e pasur të lidhur me elitën në pushtet vazhdojnë të shfaqin jetë luksi dhe shfrenimi në rrjete sociale, sikur vendi të mos ishte në prag kolapsi.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, pavarësisht bllokadës së internetit që, sipas ekspertëve, po i shërben regjimit për të vepruar larg vëmendjes globale, gazetarë të huaj kanë konstatuar praninë e të rinjve iranianë të pasur duke festuar në klube nate pranë kufirit me Turqinë, në zona turistike të frekuentuara nga shtresa e privilegjuar.
Stili i jetesës së kësaj elite ka shkaktuar indinjatë të thellë, veçanërisht tek të rinjtë iranianë, të cilët përballen me varfëri, represion dhe mungesë perspektive. Sipas studiuesve të çështjeve të Lindjes së Mesme, zemërimi buron nga kontrasti i fortë mes dhunës në rrugë dhe pamjeve të luksit të pakontrolluar që qarkullojnë online.
Fenomeni i të ashtuquajturve fëmijë të pasur të Iranit u bë i njohur ndërkombëtarisht më shumë se një dekadë më parë përmes një llogarie në Instagram që shfaqte makina luksoze, vila, bizhuteri dhe festa private. Edhe pse aktiviteti i saj u reduktua vitet e fundit, figura të tjera të lidhura me establishmentin janë shndërruar në influencerë me miliona ndjekës, duke ekspozuar pasuri marramendëse.
Mes tyre janë gra dhe burra të rinj, të lidhur familjarisht me diplomatë dhe zyrtarë të lartë, të cilët publikojnë imazhe me çanta firmato, bizhuteri të shtrenjta dhe pushime luksoze, ndërkohë që popullsia përballet me krizë ekonomike, papunësi dhe dhunë shtetërore.
Raportimet tregojnë se shumë prej tyre kanë lënë përkohësisht Iranin nga frika e trazirave, duke u zhvendosur në qytete turke pranë kufirit, ku vazhdojnë të jetojnë të mbrojtur dhe larg represionit. Sipas dëshmive, këta persona përfitojnë drejtpërdrejt nga sistemi aktual dhe ndihen të paprekshëm nga pasojat që rëndojnë mbi qytetarët e zakonshëm.
Ndërkohë, kryengritja që shpërtheu në fund të dhjetorit është shndërruar në sfidën më serioze për pushtetin iranian që nga revolucioni i vitit 1979. Regjimi është përgjigjur me forcë të ashpër, duke angazhuar Gardën Revolucionare dhe milicitë besnike, ndërsa organizatat e të drejtave të njeriut raportojnë për mijëra të vrarë.
Burime të pavarura brenda Iranit flasin për shifra që mund të shkojnë deri në 20 mijë viktima, ndërsa autoritetet i mohojnë këto pretendime, duke fajësuar grupe të armatosura dhe ndërhyrje të huaja. Megjithatë, pamjet e luksit të shfaqur nga elita e re kanë shtuar ndjeshëm zemërimin publik, duke u kthyer në simbol të pabarazisë ekstreme dhe shkëputjes totale të pushtetit nga realiteti i popullit.
