Nga tragjedia e familjes Reiner te varësitë dhe burgimet e pasardhësve të emrave të mëdhenj të kinemasë dhe muzikës amerikane
Varësia nga metamfetamina ka lënë pasoja të rënda në jetën e disa prej fëmijëve të figurave më të njohura të Hollivudit, duke rrëzuar mitin se fama dhe pasuria janë mburojë ndaj varësisë dhe shkatërrimit personal. Rasti më i fundit dhe më tronditës është ai i Nick Reiner, djali i regjisorit të njohur Rob Reiner, i cili u arrestua dhe u akuzua për vrasjen brutale të prindërve të tij.
Sipas dëshmive të miqve të afërt, Nick Reiner kishte javë që shfaqte sjellje të dhunshme dhe të paqëndrueshme, nuk flinte për ditë me radhë dhe përdorte metamfetaminë, një drogë shumë e fortë që ndikon drejtpërdrejt në sistemin nervor. Ai ishte futur në rehabilitim që në moshën 15-vjeçare, por betejat me varësinë vazhduan ndër vite, duke përfunduar në një tragjedi familjare.
Një tjetër rast i njohur është ai i Cameron Douglas, djali i aktorit Michael Douglas. Ai ka qenë i hapur për varësinë e tij shumëvjeçare nga droga, përfshirë metamfetaminën, heroinën dhe kokainën. Cameron filloi përdorimin e drogës që në adoleshencë dhe përfundoi disa herë në burg për posedim dhe shpërndarje droge. Vetë Michael Douglas ka pranuar publikisht se karriera e tij shpesh kishte lënë në hije jetën familjare, duke ndikuar në rrugën e gabuar të djalit të tij.

Hopper Penn, djali i aktorëve Sean Penn dhe Robin Wright, ka treguar se metamfetamina ishte droga që e çoi drejt shkatërrimit në adoleshencë. Ai ka deklaruar se ndërhyrja e drejtpërdrejtë e babait të tij i shpëtoi jetën dhe e detyroi të hynte në rehabilitim, duke arritur më pas të qëndrojë i pastër.

Një histori tjetër e errët është ajo e Redmond O’Neal, djali i Farrah Fawcett dhe Ryan O’Neal. Pas vdekjes së nënës së tij, Redmond trashëgoi miliona dollarë, të cilat i shpenzoi kryesisht për drogë. Ai është arrestuar disa herë për posedim droge, grabitje të armatosur dhe sulme me thikë, ndërsa është shpallur i papërshtatshëm për gjykim për shkak të gjendjes mendore.

Chelsea Belle O’Donnell, vajza e adoptuar e Rosie O’Donnell, vazhdon të përballet me varësinë nga metamfetamina. Ajo ka qenë disa herë në burg për akuza që lidhen me drogën, neglizhencën ndaj fëmijëve dhe shkelje të kushteve të lirimit me kusht. Vetë Rosie O’Donnell ka kërkuar publikisht ndihmë dhe lutje për vajzën e saj, duke pranuar se varësia ka shkatërruar jetën e saj dhe të familjes.

Edhe Grace Kelley, vajza e këngëtares së famshme Wynonna Judd, ka kaluar vite mes burgjeve dhe programeve të rehabilitimit. Ajo është dënuar për prodhim dhe shpërndarje metamfetamine dhe është arrestuar vazhdimisht për shkelje të ligjit, përfshirë prostitucionin dhe shkeljen e kushteve të lirimit. Pavarësisht kësaj, Wynonna Judd e ka cilësuar vajzën e saj si një grua të fortë që vazhdon të luftojë me demonët e saj.

Këto raste tregojnë se presioni i të qenit fëmijë i famshëm, bashkuar me aksesin e lehtë te paratë dhe substancat narkotike, ka krijuar një cikël shkatërrues për shumë pasardhës të elitës së Hollivudit. Metamfetamina mbetet një nga drogat më të rrezikshme dhe më shkatërruese, duke lënë pas jo vetëm karriera të shkatërruara, por edhe familje të copëtuara dhe tragjedi të rënda njerëzore.

