
Të ashtuquajturën taksë e traktorit fermerët e shohin si kërcënim për fermat familjare dhe sigurinë ushqimore
Qindra fermerë britanikë u mblodhën në Londër për të protestuar kundër ndryshimeve të reja në rregullat e taksës së trashëgimisë për tokën bujqësore, të cilat sipas tyre rrezikojnë seriozisht mbijetesën e fermave familjare. Protesta u zhvillua pranë Parlamentit, ku u panë pankarta me mesazhe që paralajmëronin se pa fermerë nuk ka ushqim dhe as të ardhme.
Masa fiskale, e quajtur nga kritikët taksa e traktorit, u shpall muajin e kaluar si pjesë e buxhetit të qeverisë së re laburiste, me synimin për të mbledhur më shumë të ardhura për shtetin. Sipas rregullave të reja, duke nisur nga viti 2026, trashëgimia e fermave do të tatohet me 20 për qind për vlerën që tejkalon një milion paund.
Deri më tani, fermat që kalonin nga një brez në tjetrin ishin të përjashtuara nga kjo taksë. Fermerët thonë se ndryshimi do t’i detyrojë familjet të shesin tokën ose pasuritë për të përballuar pagesën, pasi edhe pse toka dhe makineritë kanë vlerë të lartë në letër, fitimet reale të fermave janë të ulëta.
Një nga protestuesit, Olly Harrison, deklaroi se fermerët nuk po shmangin taksat, por po kërkojnë drejtësi. Ai theksoi se nëse ka fitime, ato mund të tatohen, por kur fitimet mungojnë, pagesa e një takse trashëgimie bëhet e pamundur.
Qeveria britanike ka argumentuar se masa është e domosdoshme për të siguruar fonde shtesë për buxhetin e shtetit, ndërsa fermerët kundërshtojnë duke thënë se vendimi tregon mungesë kuptimi për realitetin e jetës rurale dhe rrezikon prodhimin vendas të ushqimit. Protestat pritet të vazhdojnë, ndërsa tensionet mes komuniteteve bujqësore dhe qeverisë janë në rritje.
