
Qarkullimi do të ndërpritet për tre orë në mbrëmje, kalim vetëm për rastet emergjente
Protestat e fermerëve në Greqi vijojnë të ndikojnë në qarkullimin ndërkufitar, pasi edhe ditën e sotme do të bllokohet aksi rrugor Kakavijë–Janinë. Njoftimi është bërë nga Policia Kufitare e Kakavijës, e cila ka konfirmuar ndërprerjen e përkohshme të qarkullimit.
Sipas autoriteteve, bllokimi do të ndodhë nga ora 18:00 deri në 21:00, sipas orës greke, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, për shkak të protestës që fermerët kanë paralajmëruar në këtë zonë. Gjatë këtij intervali kohor, qarkullimi do të lejohet vetëm për automjetet me emergjenca shëndetësore.
Policia Kufitare u ka bërë thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve që të tregojnë mirëkuptim dhe të planifikojnë udhëtimet e tyre jashtë këtij orari, me qëllim shmangien e vonesave dhe vështirësive në lëvizje.
Autoritetet theksojnë se situata do të monitorohet në vazhdimësi dhe se çdo ndryshim do të bëhet i ditur përmes njoftimeve zyrtare.
