Protestat e fermerëve në Greqi do të vijojnë edhe këtë të shtunë, duke bllokuar aksin rrugor Kakavijë–Janinë. Sipas Policisë Kufitare, bllokimi do të ndodhë në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, nga ora 19:00 deri në 22:00 (ora greke).
Gjatë kësaj kohe, do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet me emergjenca shëndetësore. Policia Kufitare njofton se informacioni është marrë përmes qendrës së përbashkët të shkëmbimit të të dhënave me homologët grekë dhe u bën thirrje qytetarëve për mirëkuptim.
Shtrohet gjithashtu sugjerimi që udhëtimet të planifikohen jashtë orarit të bllokimit për të shmangur pritjet dhe vështirësitë në qarkullim.
NJOFTIMI i Policisë Kufitare:
Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 19:00 deri në orën 22:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët. Do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore. Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës.
