Festa e Flamurit ka bërë bashkë liderët më të lartë të shtetit shqiptar, por dhe të Kosovës. Presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeparlametari Niko Peleshi dhe kryebashkiakja e sapozgjedhur e qytetit, Brunilda Mersini kanë marrë pjesë në ceremoninë e ngritjes së Flamurit në Vlorë.
Në sheshin Flamur, në shenjë nderimi, janë vendosur kurora me lule, ndërsa zyrtarët e lartë të shtetit janë përkulur para memorialit, teksa sot shënon 113-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë.
Pasi është luajtur himni kombëtar, të gjithë të pranishmit kanë ecur përgjatë tapetit të kuq. Edhe këtë vit, kjo festë e gjeti politikën të ndarë, e cila feston dhe bën homazhe të veçnta dhe me orarë të ndryshme.
Në nder të kësaj dite, në Vlorë, qyteti simbol i Pavarësisë mbahen festime dhe organizime të ndryshme, ku spikatin traditat dhe vlerat atdhetare shqiptare. Qytetarë vlonjatë, por dhe nga mbarë vendi dhe trojet shqiptare zgjedhin të kalojnë këtë ditë në Vlorë, ndërsa qyteti mbushet kuq e zi.
Pavarësia e Shqipërisë u shpall më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali në Vlorë.
