
Kryebashkiaku i Tiranës thotë se kjo ditëlindje i zbuloi njerëzit që i qëndruan pranë dhe falënderon përkujdesjen ndaj familjes së tij
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka ndarë një mesazh publik në ditën e tij të lindjes, të cilën këtë vit e feston në paraburgim. Në moshën 46-vjeçare, Veliaj e cilëson këtë përvjetor si një ditëlindje të pazakontë, e shoqëruar me reflektim dhe mirënjohje për njerëzit që i kanë qëndruar pranë në një periudhë të vështirë personale.
Nga ambientet e paraburgimit në Durrës, Veliaj shprehet se urimet dhe letrat e marra e kanë prekur thellë, ndërsa falënderon ata që janë kujdesur për nënën, bashkëshorten dhe djalin e tij të vogël gjatë muajve të fundit. Sipas tij, kjo periudhë e vështirë ka shërbyer edhe si një filtër njerëzor, duke i bërë të qartë se kush janë miqtë e vërtetë që nuk do t’i harrojë kurrë.
Veliaj e përshkruan vitin që po mbyll si absurd, por thekson se mbështetja morale e marrë ka qenë një forcë e rëndësishme për ta përballuar situatën. Mesazhi i tij mbyllet me një shprehje dashurie dhe mirënjohjeje ndaj atyre që i kanë qëndruar pranë.
Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për masën e sigurisë arrest në burg, të kërkuar nga SPAK. Ai akuzohet për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre, akuza që Veliaj i ka mohuar, duke e konsideruar procesin si të pabazuar në prova.
