
Situata po monitorohet nga strukturat vendore, hidrovoret në gatishmëri dhe akset rrugore të kalueshme
Sipas informacionit zyrtar të datës 10 janar 2026, situata në qarkun Fier paraqitet e qëndrueshme, megjithëse disa toka bujqësore vijojnë të jenë ende të përmbytura. Gjatë natës dhe në vijim, në territorin e qarkut janë regjistruar reshje shiu me intensitet të ulët.
Akset nacionale dhe rurale raportohen të kalueshme normalisht, ndërsa furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm është në parametra normalë. Hidrovoret ndodhen në gjendje pune dhe në gatishmëri të plotë për përballimin e çdo situate të mundshme.
Sa i përket prurjeve të lumenjve, Vjosa paraqitet në tendencë rënieje, ndërkohë që po vijon tërheqja graduale e ujërave nga tokat bujqësore të prekura nga përmbytjet e ditëve të mëparshme. Ndryshe paraqitet situata në lumenjtë Seman dhe Shkumbin, ku prurjet janë në rritje dhe në disa segmente përgjatë rrjedhës është konstatuar dalje nga shtrati, por brenda argjinaturave mbrojtëse.
Në fshatin Ferras, pas tërheqjes së ujërave, gjatë ditës së sotme vijon puna në terren nga strukturat e Bashkisë Fier për normalizimin e situatës. Autoritetet bëjnë me dije se monitorimi i lumit Seman po vijon në mënyrë të pandërprerë, edhe për shkak të rritjes së shkarkimeve nga hidrocentrali i Banjës.
Strukturat përgjegjëse konfirmojnë se situata është nën kontroll dhe se çdo zhvillim do të ndiqet në kohë reale për të parandaluar rreziqe të reja për banorët dhe tokat bujqësore.
