
Teknologjia e re do të përdorë avatarë 3D dhe skanime digjitale për të reduktuar gabimet dhe për të rritur transparencën për publikun
Inteligjenca artificiale pritet të ndryshojë mënyrën se si merren vendimet në futbollin elitar. FIFA ka konfirmuar se në Kupën e Botës 2026 do të përdoret një version i avancuar i sistemit gjysmë-automatik për pozicionet jashtë loje, i mbështetur në teknologji të Inteligjencës Artificiale.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, risia kryesore e këtij sistemi do të jetë përdorimi i avatarëve 3D të krijuar përmes skanimeve digjitale me precizion të lartë. Çdo futbollist do të skanohet brenda një sekonde, duke gjeneruar një model tredimensional të trupit, i cili do të lejojë identifikimin e saktë të pozicionit të tij në çdo moment të aksionit.
Falë kësaj teknologjie, sistemi do të jetë në gjendje të analizojë edhe situata shumë të shpejta ose pamje të pjesshme, duke reduktuar ndjeshëm gabimet njerëzore dhe kohën e nevojshme për vendimmarrje nga VAR-i. Po ashtu, pamjet 3D të aksioneve do të shfaqen drejtpërdrejt edhe në transmetimet televizive, për t’i bërë vendimet më të kuptueshme për tifozët.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka bërë të ditur se ky zhvillim po realizohet në bashkëpunim me kompaninë Lenovo dhe se sistemi është testuar tashmë në disa kompeticione ndërkombëtare, me rezultate pozitive.
Përveç pozicionit jashtë loje , FIFA planifikon të prezantojë edhe platformën Football AI Pro, e cila do të përdoret për analiza para dhe pas ndeshjeve, si dhe një version të përmirësuar të sistemit Referee View, që do t’u ofrojë gjyqtarëve pamje më të qarta dhe më fluide gjatë ndeshjeve.
Kupën e Botës 2026, FIFA synon ta shndërrojë në turneun më teknologjik në histori, duke e afruar futbollin edhe më shumë me saktësinë dhe transparencën që kërkon publiku modern.
