Gjyqtarja Fiona Papajorgji është zgjidhur kryetare e Gjykatës Kushtetuese për një mandat 3-vjeçar. Ajo pason në këtë detyrë ish-gjytaren e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.
“Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese zhvilloi sot, më 18 dhjetor 2025, seancën për zgjedhjen e Kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese. Në përfundim të procesit të votimit, në bazë të parashikimeve ligjore, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, me vendimin nr.14, datë 18.12.2025, zgjodhi njëzëri zonjën Fiona Papajorgji në detyrën e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese”,- thuhet në njoftimin zyrtar.
Ky vendim i njoftohet Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryetarit të Gjykatës së Lartë.
49-vjeçarja nga Vlora është diplomuar në vitin 2000 në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Barit, Itali kurse në vitin 2012 ka marrë gradën shkencore “Doktore e shkencave juridike” në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Barit.
Znj. Papajorgji në vitet 2000-2008 ka ushtruar profesionin e asistent avokatit dhe me pas të avokatit pranë firmave ligjore në Bari. Gjatë periudhës 2009-2011 ka punuar si juriste pranë Drejtorisë së Kërkimeve, Studimeve dhe Botimeve në Gjykatën Kushtetuese.
Në vitet 2011-2019 ka ushtruar detyrën e këshilltares ligjore në Gjykatën Kushtetuese. Prej vitit 2007 e në vazhdim ushtron mësimdhënien si lektore e së Drejtës Publike në disa universitete kurse në vitin 2019 është angazhuar nga Shkolla e Magjistraturës si pedagoge në dispozicion për vitin e parë të Programit të Formimit Fillestar.
