
Vetëm pak minuta para se të ekzekutohej në sallën e gjyqit, gjyqtari Astrit Kalaja fliste për gëzimin më të madh të jetës së tij, dasmën e vajzës.
Një ngjarje e rëndë ka tronditur këtë të hënë sistemin e drejtësisë shqiptare. Gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja, u vra me armë zjarri brenda sallës së gjyqit nga 30-vjeçari Elvis Shkambi, gjatë një seance gjyqësore që kishte nisur normalisht.
Sipas dëshmive të kolegëve dhe burimeve nga vendngjarja, gjithçka ndodhi brenda pak sekondash. Gjyqtari Kalaja, që po drejtonte seancën, u qëllua me armë nga një prej të pranishmëve në sallë. Plumbat i morën jetën menjëherë, duke kthyer sallën e gjyqit në skenë tragjedie.
Vetëm disa minuta para se të hynte në sallë, gjyqtari Kalaja kishte biseduar me një koleg. Ishin fjalë të zakonshme, njerëzore, që sot marrin peshën e fundit: “Martoj vajzën dhe jam i lumtur. Mezi e pres atë ditë.”
Ngjarja ka ngjallur reagime të ashpra nga opinioni publik dhe institucionet e drejtësisë. Prokuroria e ka cilësuar aktin si vrasje me paramendim, ndërsa hetimet po vijojnë për të përcaktuar motivet e autorit.
Shumë gjyqtarë dhe avokatë kanë folur për mungesën e sigurisë në sallat e gjyqeve, duke theksuar se ky atentat mund të ishte shmangur.
Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor kanë njoftuar se do të organizohet një ceremoni nderimi shtetëror për gjyqtarin e ndjerë, i cili u vra në krye të detyrës, duke shërbyer drejtësinë që e kishte përkushtuar gjithë jetën e tij.
Kolegët e tij e përshkruajnë Astritin si një njeri të qetë, të drejtë dhe korrekt, që ruante respektin e të gjithëve. “Ishte gjyqtar që nuk ngrinte zërin, por fjala e tij kishte peshë. Ishte i drejtë, si në punë, ashtu edhe në jetë,” – tha një koleg i tij për mediat.
Ngjarja e rëndë ka hapur debatin mbi sigurinë e gjyqtarëve dhe punonjësve të drejtësisë, duke risjellë në vëmendje nevojën për masa të forta mbrojtëse në sallat gjyqësore.
Shumë e kanë cilësuar vrasjen e Astrit Kalasë si një dështim institucional, që i kujton shoqërisë shqiptare se edhe tempulli i drejtësisë nuk është më i paprekshëm.