
Deklarata e “Miss Grand Kosova 2025”, Brikena Selmani, ka ndezur debat në rrjetet sociale, jo për fustanin apo elegancën, por për një fjali që la pa fjalë publikun. Gjatë prezantimit të saj në garën ndërkombëtare të bukurisë, missi u pyet se sa gjuhë dinte të fliste dhe përgjigjja e saj ishte: “Flas gjuhën e Kosovës dhe flas shqip gjithashtu.”
Në pak sekonda, videoja u bë virale. Disa e morën si një gafë të pafajshme, të tjerë e panë si simbol të mungesës së përgatitjes që, prej vitesh, shoqëron shpesh përfaqësimet e vajzave shqiptare në kompeticione të tilla.
Për disa komentues, deklarata e Brikenës është thjesht një lapsus i momentit, ndërsa për të tjerë është dëshmi se shkëlqimi i pistës nuk mund të zëvendësojë dijen dhe përgatitjen intelektuale.
Në një kohë kur përfaqësimi kombëtar kërkon përkushtim dhe kulturë, fraza “flas dy gjuhë, të Shqipërisë dhe të Kosovës” ka hapur një debat më të gjerë: a po kthehen garat e bukurisë në spektakël të sipërfaqshmërisë, ku fjala humbet peshën dhe mendimi përkthehet në meme?
Bukuria mund të të çojë në skenë, por fjala në sytë e publikut është ajo që të zbret ose të ngre.