
Aktori dhe kandidati për Bashkinë e Tiranës, Flor Binaj, ka bërë një deklaratë të qartë mbrëmjen e sotme në emisionin Top Story, duke sqaruar se nuk ka patur asnjë kontakt apo komunikim me Sali Berishën.
“Nuk kam komunikuar kurrë me Sali Berishën. Nuk do të dal në fushatë me asnjë kryetar partie opozitare, pavarësisht mbështetjes që kam prej tyre,” – deklaroi Binaj.
Ai theksoi se nuk është kandidat nën siglën e asnjë partie, por se gëzon mbështetjen e opozitës dhe qytetarëve që duan ndryshim në Tiranë.
“Unë nuk jam nën siglën e asnjë partie, por kam mbështetjen e tyre. Fushata ime është qytetare, jo partiake,” shtoi Binaj, duke bërë të qartë se synon të qëndrojë i pavarur dhe mbi interesat politike.
Deklarata e tij vjen në një moment kur opozita po përpiqet të unifikojë mbështetjen për kandidaturën e tij, ndërsa vetë Binaj duket i vendosur të ruajë imazhin e një kandidati të pavarur që flet në emër të qytetarëve.