Kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës zhvillon takime me qytetarët pranë liqenit artificial, ku nuk munguan batutat dhe mbështetja nga banorët
Kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj, ka vijuar takimet me qytetarët e kryeqytetit, këtë herë në zonën e liqenit artificial, një prej hapësirave më të dashura për banorët e Tiranës.
Në një atmosferë miqësore, me humorin që e karakterizon, Binaj bisedoi me vizitorët dhe familjet që ndodheshin në park, duke theksuar se liqeni duhet të mbrohet nga ndërhyrjet e betonit që po e rrezikojnë si hapësirë publike.
“Liqeni artificial është mushkëria e Tiranës. Detyra jonë është ta ruajmë, jo ta betonizojmë,” u shpreh ai në një postim që shoqërohej me pamje nga takimet.
Bisedat me qytetarët u zhvilluan në një frymë të ngrohtë, ku nuk munguan as momentet plot batuta. Në një moment, Binaj iu drejtua me humor dy të rinjve me monopatina duke u thënë “Kujdes se do t’ju kapë polici”, ndërsa ata iu përgjigjën me të qeshura. Një grua i uroi me shpirt suksese, ndërsa një qytetar tjetër shtoi me ironi: “Si gjys fushate ma merr mendja.”
Me një buzëqeshje të qetë, kandidati u përgjigj: “Si gjys fushatë.”
Takimet e Florjan Binajt në terren po shndërrohen në një fushatë të afërt me njerëzit, ku përveç mesazheve politike, përçohet edhe një frymë dialogu e thjeshtë, me humor dhe vëmendje ndaj shqetësimeve të përditshme të qytetarëve.
