
Moderatori dhe aktivisti i njohur iu bashkua tubimit të thirrur nga kreu i Shqipëria Bëhet, duke rreshtuar edhe një herë qëndrimin e tij kritik ndaj qeverisë
Aktori dhe moderatori Florjan Binaj i është bashkuar mbrëmjen e së shtunës protestës kombëtare të thirrur nga Adriatik Lapaj, kryetar i Shqipëria Bëhet, e zhvilluar para Kryeministrisë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Binaj, i njohur për angazhimin e tij qytetar, ka qenë i pranishëm edhe në protesta të mëparshme kundër qeverisë Rama, pavarësisht se nga cila forcë politike janë organizuar ato. Edhe këtë herë, ai u shfaq në shesh krah protestuesve, duke përcjellë mesazhin e vazhdimësisë së kundërshtimit ndaj mënyrës së qeverisjes.
Gjatë tubimit, Adriatik Lapaj renditi një sërë akuzash dhe skandalesh që sipas tij rëndojnë mbi qeverinë aktuale, duke përmendur afera të lidhura me zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku, si edhe pretendime për veprimtari të strukturuara kriminale brenda AKSHI-t, të cilat sipas Lapajt kanë ndikuar në tendera preferencialë dhe rritje të kostove me miliona euro.
Sipas organizatorëve, këto zhvillime përbëjnë arsye të mjaftueshme për kërkesën e largimit të qeverisë aktuale, ndërsa prania e figurave publike si Florjan Binaj shihet si mbështetje e drejtpërdrejtë ndaj kauzës së protestës.
