
Kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës u prit me entuziazëm nga banorët e kryeqytetit gjatë takimeve të para elektorale në terren.
Florjan Binaj ka hapur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e parakohshme lokale në Tiranë, duke nisur takimet me qytetarët në disa zona të kryeqytetit. Në pamjet e publikuara, aktori dhe kandidati i pavarur shihet i rrethuar nga dhjetëra qytetarë që e përshëndesin dhe e inkurajojnë për garën elektorale.
“Ti je i thjeshtë, si ne. Këtë thjeshtësi mos e humb,” – i thotë një qytetar gjatë takimit. Ndërsa një tjetër shton me humor dhe vendosmëri: “Ne biznesi i vogël jemi me ty, nuk kemi frikë të dalim hapur.”
Në rrugët e Tiranës, mbështetësit e Binajt shprehin entuziazëm për praninë e tij në terren, duke e cilësuar si “zërin e njerëzve të zakonshëm”. Një grua i uron suksese me fjalët “Inshallah fiton”, ndërsa të tjerë e falënderojnë për mënyrën e komunikimit të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë me qytetarët.
Fushata e Binajt pritet të fokusohet në temat e transparencës, përfshirjes qytetare dhe mbështetjes për biznesin e vogël, ndërsa takimet me komunitetet lokale do të vijojnë në ditët në vijim.