Kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës propozon ndërhyrje për lehtësimin e qarkullimit dhe rikthimin e kohës së humbur qytetarëve
Kandidati i pavarur për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Florjan Binaj, ka ngritur sërish alarmin për kaosin e trafikut në kryeqytet, duke e cilësuar atë si një nga plagët më të mëdha të jetës urbane.
Në një reagim në rrjetet sociale, Binaj ka bërë një përllogaritje simbolike që ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve: çdo banor i Tiranës humbet rreth një orë në ditë i bllokuar në rrugë, që në fund të vitit përkthehet në plot 15 ditë të shkuara kot.
“Çdo qytetar i Tiranës humb mesatarisht 1 orë në ditë në trafik. Në 1 muaj humb 1 ditë e 6 orë, ndërsa në një vit 15 ditë. Nëse rregullojmë trafikun, ato ditë mund t’i kalojmë me familjen, prindërit, fëmijët ose miqtë tanë,” shkruan Binaj.
Aktori dhe aktivisti, tashmë në garën për drejtimin e Bashkisë së Tiranës, ka theksuar se qeverisja lokale duhet të ketë si prioritet rindërtimin e një sistemi qarkullimi efikas, me rrugë më të menaxhuara, transport publik funksional dhe respekt të vërtetë për këmbësorët.
Sipas tij, koha është jeta dhe qytetarët e Tiranës meritojnë ta jetojnë, jo ta humbasin duke pritur në kolonat e pafundme të trafikut të përditshëm.
