

Organizatorët e Global Sumud Flotilla, një flotë e vogël me aktivistë pro-palestinezë që mbart ndihma për Gazën, raportuan se dëgjuan shpërthime dhe panë sulme me dronë gjatë natës së së martës në brigjet e Greqisë, nga e marta mbrëma deri të mërkurën herët në mëngjes.
“Sulmuan shumë dronë, objekte të panjohura u hodhën mbi ne, komunikimet u bllokuan dhe u dëgjuan shpërthime nga disa varka,” -u tha në deklaratën e flotës, pa dhënë detaje mbi viktima të mundshme. “Po i përjetojmë këto operacione psikologjike me sytë tanë, por nuk do të trembemi,” -shtuan aktivistët.
Organizatori brazilian Tiago Avila tha në Instagram se 10 sulme shënjestruan disa anije me bomba zanore, flakadanë shpërthyes dhe substanca të dyshuara kimike. Aktivisti amerikan Greg Stoker pohoi se anija e tij pranë Kretës u godit nga një dron i vogël, ndërsa radioja VHF u ndërhy prej sinjaleve armiqësore, të cilat nisën të transmetonin këngë të grupit ABBA.
Autoritetet izraelite nuk kanë komentuar ende mbi raportimet për dronët, shpërthimet apo ndërhyrjet në komunikim. Më herët, Ministria e Jashtme e Izraelit i quajti anijet të përfshira në një veprim të dhunshëm dhe kërkoi që ndihmat të dorëzoheshin në marinën e Ashkelonit, për t’u shpërndarë në mënyrë të koordinuar e paqësore. Organizatorët e refuzuan këtë propozim, duke e quajtur manipulim të regjimit sionist.
Flota, me rreth 51 anije, u nis këtë muaj nga brigjet perëndimore të Mesdheut për të thyer bllokadën izraelite dhe për të sjellë ndihma në Gaza. Ajo ishte goditur edhe më parë nga dy sulme të dyshuara me dronë në Tunizi, përpara se të riniste rrugëtimin.
Aktivistët ndërkombëtarë theksojnë se misioni i tyre është paqësor dhe synon të tërheqë vëmendjen globale mbi krizën humanitare në Gaza. Izraeli kishte bllokuar dy përpjekje të mëparshme, përmes detit, në qershor dhe korrik.