
Një avion i kompanisë Ryanair, që udhëtonte nga Pisa e Italisë drejt aeroportit Prestwick në Skoci, përjetoi momente dramatike, kur pas disa tentativave të dështuara për ulje u detyrua, të shpallte gjendje emergjence për mungesë karburanti. Pas pothuajse dy orësh në ajër dhe tre përpjekjeve të rrezikshme për t’u ulur mes stuhisë “Amy”, avioni arriti më në fund të prekte tokën në aeroportin e Manchesterit, në Angli.
Avioni Boeing 737 me numër fluturimi FR3418 dërgoi sinjalin e emergjencës squawk 7700, që përdoret në rastet kur një avion përballet me situatë kritike, në këtë rast, emergjencë karburanti.
Një pasagjer, që udhëtonte me familjen, e përshkroi përvojën si si në një film katastrofe. “Tre uljet e dështuara ishin të frikshme. Njerëzit po luteshin, djali im po qante. Mendova me vete: ‘A është ky fundi?’”, -tregoi ai.
Stuhia “Amy”, e cila më parë njihej si uragani “Humberto”, kishte goditur rëndë Britaninë me erëra të forta dhe reshje të dendura shiu, duke shkaktuar të paktën tre viktima dhe mijëra ndërprerje të energjisë.
Avioni provoi fillimisht të ulej në Prestwick, më pas në aeroportin e Edinburgut, por erërat e forta e detyruan pilotin të braktiste manovrën në të dyja rastet. Vetëm pas fluturimit drejt Anglisë, ekuipazhi arriti të sigurojë një ulje të kontrolluar në Manchester, me sasinë e karburantit të reduktuar në minimum.
Një tjetër pasagjer, Alexander Marchi nga Ayrshire, tha: “Vetëm pasi u ulëm kuptuam sa keq kishin qenë kushtet. Karburanti kishte mbetur për më pak se gjashtë minuta. Njerëzit ishin të tronditur, por stafi i avionit tregoi profesionalizëm të jashtëzakonshëm.”
Fluturimi, që duhej të zgjaste rreth tre orë, përfundoi me më shumë se dhjetë orë vonesë. Pasagjerët u shprehën mirënjohës që historia përfundoi me një ulje të sigurt, por me një përvojë që, siç thotë njëri prej tyre, “nuk do ta harrojmë kurrë”.