
Prokuroria britanike thotë se vogëlushja pësoi dhjetëra fraktura dhe u dhunua në mënyrë të përsëritur gjatë javëve të para të jetës, ndërsa prindërit mohojnë përgjegjësinë
Një foshnjë vetëm pesë javëshe humbi jetën në Britaninë e Madhe pas asaj që prokuroria e përshkroi si dëmtime shkatërruese në tru, të shkaktuara nga dhunë e përsëritur brenda familjes. Çështja po shqyrtohet në Gjykatën e Kurorës në Stafford, ku prindërit e saj, Sean Jefferson 35 vjeç dhe Amy Clarke 34 vjeçe, përballen me akuza për vrasje ose për shkaktim apo lejim të vdekjes së fëmijës.
Sipas prokurorisë, Darcy-Leigh Jefferson ndërroi jetë më 29 mars 2022, pasi ishte dërguar në spital dy ditë më herët. Hetimet mjeko-ligjore treguan se ajo kishte pësuar dëmtime të rënda në tru, të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga tundje e dhunshme ose përplasje e kokës në një sipërfaqe të fortë, në kohën kur ishte nën kujdesin e prindërve.
Gjykata u informua se foshnja kishte gjithashtu dhjetëra fraktura në brinjë dhe dëmtime në të dyja këmbët, të shkaktuara në periudha të ndryshme gjatë ditëve para vdekjes. Prokuroria argumenton se këto nuk ishin incidente të izoluara, por rezultat i dhunës së vazhdueshme ndaj një fëmije jashtëzakonisht të brishtë, i lindur para kohe dhe me peshë shumë të ulët.
Sipas akuzës, Darcy-Leigh ishte dhunuar në mënyrë të përsëritur nga ata që kishin detyrimin ligjor dhe moral për ta mbrojtur. Prokuroria tha se ose njëri prej prindërve është përgjegjës drejtpërdrejt për vdekjen, ose të dy kanë dështuar ta mbrojnë fëmijën nga rreziku fatal.
Në gjykatë u përmend edhe sfondi problematik familjar, përfshirë përdorimin e alkoolit dhe drogës, si dhe një marrëdhënie e paqëndrueshme mes prindërve, e shoqëruar me konflikte dhe kërcënime. Prokuroria theksoi se të dy prindërit ishin të vetëdijshëm për rrezikun që i kanosej foshnjës.
Të pandehurit i mohojnë akuzat dhe gjyqi pritet të vazhdojë me dëshmitë e ekspertëve dhe profesionistëve që kishin pasur kontakt me familjen në javët para tragjedisë.
