
Publikimi i mijëra dokumenteve të reja nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë hedh dritë të paprecedentë mbi jetën private të financierit të ndjerë dhe rrethin e figurave të fuqishme që shfaqen në arkivë.
Një tjetër seri dosjesh të publikuara nga Department of Justice ka shkaktuar tronditje ndërkombëtare, pas daljes në dritë të disa fotografive të reja që lidhen me Jeffrey Epstein. Mes tyre, një imazh i veçantë ka nxitur reagime të forta, pasi Epstein shfaqet në një ambient privat, ndërsa në kornizë duket ajo që besohet të jetë këmba e një fëmije shumë të vogël.
Fotografia, sipas mediave ndërkombëtare, mendohet të jetë realizuar në ishullin privat famëkeq të Epstein, i përdorur prej vitesh nga ai dhe bashkëpunëtorja e tij e ngushtë, Ghislaine Maxwell. Identiteti i fëmijës nuk është bërë publik dhe autoritetet nuk kanë dhënë sqarime të detajuara, por vetë ekzistenca e këtij imazhi ka ngritur pikëpyetje të rënda mbi përmasat reale të abuzimeve të lidhura me këtë çështje.
Epstein ishte arrestuar në vitin 2019 për akuza të rënda për trafikim seksual të të miturve, por humbi jetën në burg përpara se të përballej me gjyqin. Publikimi i dokumenteve të reja vjen si pjesë e një detyrimi ligjor për transparencë edhe pse autoritetet pranojnë se jo të gjitha materialet e hetimit janë bërë publike.
Përveç imazhit tronditës, dosjet përmbajnë edhe fotografi dhe dokumente që tregojnë afërsinë e Epstein me figura të njohura të politikës dhe showbizit botëror. Në arkivë shfaqen emra si Bill Clinton, Michael Jackson, Andrew Mountbatten-Windsor dhe sipërmarrësi Richard Branson, të gjithë të fotografuar në rrethana të ndryshme shoqërore.
Autoritetet dhe mediat theksojnë se prania në këto foto nuk përbën automatikisht provë për shkelje ligjore dhe se shumë nga personat e përmendur kanë mohuar çdo përfshirje në aktivitete të paligjshme të lidhura me Epstein. Megjithatë, publikimi i materialeve po rihap debatin mbi përgjegjësinë morale dhe mbi mënyrën se si figura të fuqishme kanë lëvizur për dekada në orbitën e një njeriu tashmë të dënuar nga historia.
Dosjet e reja konsiderohen vetëm një pjesë e arkivit të plotë Epstein, ndërsa presioni publik po rritet që çdo material i mbetur të bëhet i aksesueshëm. Skandali, edhe vite pas vdekjes së tij, vazhdon të zbulojë detaje që tronditin opinionin publik dhe ngrenë pyetje të rënda mbi dështimet institucionale dhe mbrojtjen e viktimave.
