Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Gjorm mbrëmjen e djeshme. Viktima, administrator i kompanisë “Allidagu” në Fier, humbi jetën gjatë rrugës për në spital. Autori, kushëriri i tij Bertil Alliaj, u arrestua nga policia.
Një ngjarje e rëndë me motive ende të paqarta ka tronditur Vlorën mbrëmjen e së shtunës. 36-vjeçari Dalan Alliaj, biznesmen i njohur në zonën e Fierit, u ekzekutua me gjashtë plumba nga kushëriri i tij, Bertil Alliaj, në fshatin Gjorm të Selenicës.
Sipas të dhënave paraprake, përplasja mes dy të afërmve ka ndodhur pas një debati të ashpër, i cili përfundoi me përdorimin e armës. Dalan Alliaj u plagos rëndë dhe, pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të familjarëve, ndërroi jetë gjatë rrugës për në spitalin e Vlorës.
Viktima rezulton administrator i kompanisë “Allidagu” me seli në Fier, një biznes që operon në sektorin e prodhimit dhe përpunimit të ushqimeve, tregtinë e kafshëve të gjalla dhe shërbimet mekanike për automjete.
Policia e Vlorës ka arrestuar autorin e dyshuar, Bertil Alliaj, ndërsa po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të motiveve të krimit që ka tronditur komunitetin lokal.
Në vendngjarje u sekuestrua arma e krimit dhe disa prova materiale që pritet të ndihmojnë në hetim. Grupi hetimor po punon për të verifikuar nëse konflikti mes dy kushërinjve kishte prapavijë ekonomike apo familjare.
