
Grupi vepronte në mënyrë të organizuar në disa zona të kryeqytetit, duke grabitur para dhe sende me vlerë nga banesa private
Policia e Tiranë ka arrestuar tre persona të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal që kryente vjedhje në banesa, pas një hetimi të zhvilluar në kuadër të operacionit të koduar Strategjia.
Në pranga kanë rënë shtetasit Alban Mullaymeri, Sergeto Turullaj dhe Gentjan Kala, të cilët sipas hetimeve vepronin të organizuar dhe me role të ndara. Ata fillimisht fotografonin bravat e dyerve të banesave, më pas pamjet analizoheshin për të zbërthyer mekanizmin e sigurisë dhe për të mundësuar hapjen e dyerve me çelës universal.
Nga dokumentimi i rasteve, rezulton se më 7 janar kanë kryer një vjedhje në një banesë në rrugën Don Bosko. Më 10 janar, grupi ka vjedhur rreth 14 mijë euro dhe sende me vlerë në një banesë në rrugën Dritan Hoxha, ndërsa një tjetër vjedhje është kryer dje sërish në zonën e Don Boskos.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të jenë kryer nga ky grup në zona të ndryshme të kryeqytetit, ndërsa materialet procedurale janë referuar pranë Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar për sigurinë e banesave dhe të denoncojnë çdo rast të dyshimtë pranë strukturave të rendit.
