Në foto shihet kulmi i operacionit të sigurisë, një efektiv i Policisë së Burgjeve, i vetëm, me pistoletë në dorë, dhe syze, duke kërkuar për të paraburgosurin Altin Ndoci në rrugët pranë Spitalit Rajonal të Durrësit. Pamja ngjan më shumë me një skenë filmi amator sesa me një situatë reale sigurie për një person me rrezikshmëri të lartë. Një polic kundër një të arratisuri, pa përforcime, pa bllokim zone, me një të shtënë në ajër si shenjë shprese që i kërkuari ndoshta do ndalojë nga mirësjellja.
Arratisja ka ndodhur gjatë ditës së sotme, kur Altin Ndoci ishte transportuar nga paraburgimi i Durrësit drejt spitalit për vizitë mjekësore në repartin e infektivit, në katin e tretë. Sipas burimeve, ai shoqërohej nga 5 efektivë të Policisë së Burgjeve, por vetëm dy prej tyre ishin brenda spitalit, ndërsa dy të tjerë dhe shoferi qëndronin në automjet. Gjatë vizitës, Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet dhe është shoqëruar nga një prej policëve. Sapo ka dalë, e ka goditur me grusht efektivin dhe është larguar me shpejtësi duke zbritur shkallët.
Dy policët që ndodheshin brenda janë përpjekur ta ndjekin, njëri prej tyre ka qëlluar një herë në ajër jashtë spitalit, por pa rezultat. Ndoci ka arritur të largohet, ku dyshohet se jashtë e priste një Audi A7 i bardhë, me të cilin u zhduk në drejtim të zonës së Spitallës. Ndërkohë, fotografia mbetet dëshmia më ironike e gjithë ngjarjes: një shtet që vrapon pas përgjegjësisë, një polic që ndjek i vetëm dhe një i paraburgosur që largohet lirshëm, duke e kthyer një vizitë mjekësore në arratisjen më të thjeshtë të mundshme.
