
Aktori i Rush Hour shfaqet në dokumentet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë, pa prova për përfshirje kriminale
Publikimi i mijëra dokumenteve të redaktuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë lidhur me çështjen e financierit të ndjerë Jeffrey Epstein ka rikthyer në vëmendje emra të njohur të politikës dhe showbizit, mes tyre edhe aktorin e famshëm të filmit Rush Hour, Chris Tucker.
Në disa nga imazhet e bëra publike, Tucker shfaqet në foto grupi ose pranë Ghislaine Maxwell, një figurë kyçe në dosjen Epstein. Dokumentet, megjithatë, nuk ofrojnë asnjë provë apo indicie për sjellje kriminale nga ana e aktorit, por kjo nuk ka ndaluar reagimet e forta në rrjetet sociale.
Pamjet janë bërë virale dhe kanë shkaktuar një valë ironish, memes dhe komentesh kritike ndaj Tucker, duke e kthyer atë në një nga emrat më të diskutuar pas publikimit të dosjeve. Shumë përdorues kanë vënë në dyshim imazhin publik të aktorit, pavarësisht se dokumentet nuk e lidhin atë me ndonjë shkelje ligjore.
Në të njëjtin publikim shfaqen edhe figura të tjera të njohura botërore, përfshirë ish-presidentin amerikan Bill Clinton, muzikantë legjendarë dhe personalitete publike ndërkombëtare. Autoritetet sqarojnë se prania në foto nuk përbën provë faji dhe se shumë prej imazheve janë pa datë dhe jashtë kontekstit.
Chris Tucker nuk ka reaguar publikisht pas publikimit të fotove, ndërsa debati në rrjet vazhdon të ndizet. Çështja po rikthen edhe një herë diskutimin mbi ndikimin e dosjeve Epstein, ku edhe mungesa e provave konkrete shpesh mjafton për të dëmtuar reputacionin e figurave publike.
