

55 kilogramë ar dhe miliona euro të sekuestruara, 15 persona në pranga dhe 11 të burgosur, në një operacion të përbashkët ndërkombëtar
Një operacion i gjerë i autoriteteve franceze dhe italiane ka çuar në shkatërrimin e një rrjeti ndërkombëtar pastrimi parash që shërbente për bandat e drogës në Marseille, përfshirë edhe grupimin famëkeq “DZ Mafia”. Gjatë aksionit, xhandarmëria franceze sekuestroi mbi disa milionë euro dhe 55 kilogramë ar, duke e cilësuar rastin si një çështje me karakter të jashtëzakonshëm.
Në total, 15 persona u arrestuan, ndërsa 11 prej tyre u vendosën nën masën e sigurisë së paraburgimit. Hetimet zbuluan se organizatorët kryesorë të skemës ndodheshin në Itali, ku kishin ngritur një fonderi të dedikuar për pastrimin e të ardhurave kriminale. Kjo strukturë u ofronte shërbime trafikantëve francezë dhe të huaj, duke ndërtuar një mekanizëm të sofistikuar që funksiononte si një zinxhir prodhimi.
Operacioni i zhvilluar në shtator nga Seksioni i Kërkimeve të xhandarmërisë së Marseille shënon një goditje të fortë ndaj ekonomisë kriminale, duke nxjerrë në pah dimensionet ndërkombëtare të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave në Evropë.