
Për herë të parë, Ukraina pritet të pajiset me avionë luftarakë francezë Rafale dhe teknologji moderne të mbrojtjes ajrore, në një partneritet afatgjatë që shtrihet mbi 10 vite.
Franca dhe Ukraina kanë nënshkruar të hënën një marrëveshje të rëndësishme që shënon një nga bashkëpunimet më të mëdha ushtarake mes dy vendeve që prej fillimit të luftës. Presidenti francez Emmanuel Macron dhe ai ukrainas Volodymyr Zelensky firmosën në bazën ajrore të Villacoublay një deklaratë të përbashkët për blerjen e afërsisht 100 avionëve luftarakë Rafale, së bashku me sistemet më të avancuara të mbrojtjes ajrore franceze.
Sipas Elysee, kjo marrëveshje strategjike shtrihet në një horizont dhjetëvjeçar dhe parashikon kontrata të ardhshme për furnizimin e Ukrainës me pajisje të reja të mbrojtjes, përfshirë:
– rreth 100 Rafale, të shoqëruar me paketën e plotë të armatimeve;
– sisteme të reja mbrojtjeje ajrore SAMP-T të gjeneratës së re;
– sisteme moderne radarësh;
– dronë ushtarakë;
– municione të avancuara AASM Hammer.
Kjo është hera e parë që Ukraina pajiset me avionë Rafale, të cilët konsiderohen ndër më të avancuarit në botë përsa i përket teknologjisë, manovrimit dhe kapaciteteve të mbijetesës në fushëbetejë.
Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në praninë e dy presidentëve, ndërsa detajet e plota pritet të publikohen gjatë konferencës për shtyp në Élysée në mesditë.
Marrëveshja konsiderohet një hap i fortë në bashkëpunimin franco-ukrainas dhe një përgjigje e qartë ndaj agresionit rus, me Parisin që forcon rolin e tij si furnizues kyç i sigurisë së Kievit në Evropë.
