
Të rinjtë do të shërbejnë 10 muaj vetëm brenda territorit francez, me objektiv 50 mijë pjesëmarrës deri në vitin 2035
Presidenti Emmanuel Macron ka njoftuar krijimin e një shërbimi të ri kombëtar me karakter ushtarak, i cili do të nisë gradualisht nga vera e vitit 2026. Modeli parashikon përfshirjen e të rinjve vullnetarë të moshës 18 deri 19 vjeç në një program dhjetëmujor, që zhvillohet ekskluzivisht brenda territorit francez.
Sipas planit, 3000 të rinj do të përzgjidhen në fazën e parë gjatë verës së ardhshme. Deri në vitin 2030, shifra synohet të arrijë në 10 mijë, ndërsa objektivi afatgjatë është 50 mijë të rinj të inkorporuar në vitin 2035. Ky shërbim do të nisë me një muaj formim bazë dhe do të vijojë me nëntë muaj shërbim aktiv në njësi ushtarake, ku pjesëmarrësit do të kryejnë detyra të ngjashme me trupat e ushtrisë në misionet brenda vendit.
Macron theksoi se rikthimi i një modeli ushtarak është i nevojshëm për t’i përgjigjur klimës së pasigurisë dhe kërcënimeve në rritje në Europë. Sipas tij, Franca duhet të ndërtojë një forcë të re kombëtare që mbështetet në një strukturë të ngurtë aktive dhe një rezervë më të gjerë të përbërë nga të rinjtë.
Presidenti sqaroi se ky shërbim nuk është i detyrueshëm dhe nuk parashikon angazhime jashtë Francës, duke nënvizuar se pjesëmarrja do të jetë vullnetare, përveç rasteve të jashtëzakonshme që mund të miratohen vetëm nga Parlamenti. Ai shtoi se shërbimi i ri synon të forcojë rezervën operative dhe të rrisë aftësinë e vendit për t’u përballur me çdo krizë të mundshme.
Financimi i programit do të mbulohet nga ligji i ri i programimit ushtarak 2026–2030, i cili parashikon më shumë se 2 miliardë euro shtesë për shërbimin kombëtar. Presidenti i Francës e konsideroi këtë investim thelbësor për sigurinë kombëtare.
Ky njoftim vjen vetëm pak ditë pas debatit të ndezur në vend, shkaktuar nga deklarata e shefit të Shtabit të Ushtrisë, i cili kërkoi që Franca të jetë e përgatitur për skenarë të vështirë në të ardhmen. Macron e mbështeti këtë qëndrim duke theksuar nevojën për një rinovim të kapaciteteve morale dhe mbrojtëse të vendit.
