
Kriminelët sulmuan në mes të ditës dhe kërcënuan djalin 20-vjeçar, ekspert në kriptovaluta, me pamje tronditëse të torturës së të atit
Hetimet në Francë po zbulojnë skenarin makabër të rrëmbimit dhe torturimit të një babai rreth të pesëdhjetave në Eaubonne të Val-d’Oise, i rrëmbyer të hënën në mes të ditës para banesës së tij dhe në prani të dëshmitarëve. BFMTV ka siguruar dhe parë pesë video të dërguara nga rrëmbyesit, të cilat dokumentojnë brutalisht dhunën ndaj viktimës, me qëllim që t’i nxirrnin të birit një shumë prej 300 mijë eurosh.
Djali i tij, një 20-vjeçar që jeton në Dubai dhe punon si ekspert në sigurinë kibernetike, besohet se është synuar nga grupet kriminale për shkak të dyshimeve se zotëronte pasuri të konsiderueshme në kriptovaluta. Hetuesit po verifikojnë nëse rrëmbyesit kishin informacion të saktë mbi aktivitetet e tij profesionale apo nëse ishte objekt spekulimesh kriminale.
Në videot tronditëse, babai shfaqet me duart e lidhura, me sy të mbuluar me shirit ngjitës dhe me çorape të futura në gojë. Ai shihet i ulur në dyshemenë e një furgoni pa dritare, me fytyrën e gjakosur dhe të dëmtuar. Në dy prej videove, ai i lutet të birit të bëjë çfarë duhet dhe të paguajë, ndërsa rrëmbyesit e detyrojnë të përsërisë kërkesat e tyre.
Në një tjetër skenë, ai shfaqet tërësisht i zhveshur në tokë dhe goditet me shkelma nga disa persona. Në videon e fundit, ai duket i pavetëdijshëm, me shirit në fytyrë, ndërsa një prej rrëmbyesve urdhëron të birin të paguajë menjëherë.
Viktima është liruar disa orë më vonë në rrethana ende të paqarta dhe është gjetur i zhveshur buzë rrugës në Louvres, rreth 30 kilometra nga vendi i rrëmbimit. Ai është dërguar në spital me plagë të rënda dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Sipas djalit të viktimës, kjo nuk ishte hera e parë që familja kërcënohej. Ai ka deklaruar se në nëntor persona të panjohur kishin shkuar te banesa e të atit për të kërkuar një milion euro.
Policia franceze po vijon kërkimet për identifikimin e rrëmbyesve, ndërsa rasti është bërë shqetësim kombëtar për rritjen e kriminalitetit të lidhur me botën e kriptovalutave.
