

Vendimi i presidentit Emmanuel Macron e rreshton Parisin krah Australisë, Britanisë, Kanadasë dhe Portugalisë, duke rritur presionin ndaj Izraelit.
Franca ka shpallur njohjen zyrtare të shtetit palestinez, vetëm një ditë para nisjes së punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, ku çështja palestineze pritet të dominojë diskutimet, mes mbi 140 liderëve botërorë.
Njohja franceze vjen pas hapit të ndërmarrë nga Australia, Britania, Kanadaja dhe Portugalia, të cilat të dielën e njohën gjithashtu Palestinën, duke shtuar presionin ndërkombëtar ndaj Izraelit, i cili vijon ofensivën e tij shkatërrimtare në Gaza. Sipas të dhënave, më shumë se 65 mijë palestinezë janë vrarë dhe enklava është kthyer në gërmadha, pas pothuaj dy vitesh lufte.
SHBA, aleati më i afërt i Izraelit, e ka kritikuar fuqishëm këtë hap. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se njohjet e reja vetëm do ta forcojnë Hamasin dhe do ta bëjnë më të vështirë përfundimin e luftës.
Ndërkohë, presidenti palestinez Mahmud Abbas nuk do të marrë pjesë në Asamble, pasi autoritetet amerikane i kanë refuzuar vizën.