
Prefekturat urdhërohen të forcojnë kontrollet, patrullimet dhe survejimin, ndërsa tregjet festive konsiderohen objektiva të cenueshme
Ministri i Brendshëm francez , Laurent Nunez, ka kërkuar rritjen e menjëhershme të masave të sigurisë në të gjitha tregjet e Krishtlindjeve në vend, duke cilësuar nivelin e kërcënimit terrorist si shumë të lartë. Në një komunikim zyrtar drejtuar prefektëve, ai sjell në vëmendje sulmet e mëparshme në Berlin dhe Strasbourg, të cilat kanë lënë viktima dhe qindra të plagosur.
Nunez u kërkon shërbimeve të inteligjencës të intensifikojnë zbulimin, parandalimin dhe ndërprerjen e çdo sinjali që mund të lidhet me veprimtari terroriste. Ai thekson se tregjet e Krishtlindjeve mbeten objektiva të preferuara nga grupet radikale për shkak të grumbullimit masiv të njerëzve dhe simbolikës së tyre festive.
Sipas urdhrit të ministrit, autoritetet lokale duhet të përmirësojnë menaxhimin e flukseve të këmbësorëve, të vendosin kufizime të qarkullimit dhe parkimit në zonat e ngarkuara dhe të shfrytëzojnë plotësisht sistemet e kamerave të sigurisë për identifikimin e rreziqeve të mundshme.
Nunez kërkon gjithashtu angazhimin e të gjithë aktorëve të sigurisë, nga policia dhe ushtria deri te kompanitë private të ruajtjes, operatorët e transportit dhe bashkitë vendore. Ai nënvizon domosdoshmërinë e një pranie të dukshme dhe parandaluese të forcave të rendit dhe ushtarëve të operacionit Sentinelle, të cilët tradicionalisht patrullojnë zonat e ndjeshme.
Masat vijnë në një periudhë tensioni të rritur në Francë dhe Evropë, ku autoritetet paralajmërojnë se aktivitetet festive të fundvitit mund të përbëjnë skenar të favorshëm për sulme të mundshme.
