599144440
Dhjetë vjet pas nisjes së fushatës “Muaji pa duhan”, Franca regjistron një ulje të ndjeshme të duhanpirjes, ndërsa autoritetet e shëndetësisë flasin për rezultatet më të mira në dekada.
Fushata vjetore “Muaji pa duhan”, që nis çdo 1 nëntor, mbush këtë vit dhjetë vjet që prej themelimit të saj dhe shënon një bilanc të suksesshëm: vetëm 18% e qytetarëve francezë të moshës 18 deri në 75 vjeç konsumojnë cigare çdo ditë, kundrejt 25% në vitin 2021 dhe gati 28% në vitin 2014.
Sipas të dhënave të “Santé publique France”, ky përmirësim i dukshëm vjen si rezultat i politikave të qëndrueshme kundër duhanit, që nga rritja e çmimeve të produkteve të duhanit, deri te rimbursimi i trajtimeve për ndërprerjen e pirjes së duhanit dhe programet sensibilizuese në shkolla e vende pune.
Në dhjetë vjet, mbi 1.4 milion persona janë regjistruar në nismën “Muaji pa duhan”, e cila ofron këshillime falas me specialistë, mbështetje psikologjike dhe mjete ndihmëse për ata që synojnë të ndalojnë pirjen e duhanit për 30 ditë, periudhë që, sipas qeverisë franceze, e rrit me pesë herë gjasën e suksesit afatgjatë.
Megjithatë, pavarësisht rezultateve pozitive, raporti vjetor thekson se dallimet sociale dhe rajonale mbeten të forta: duhanpirja është dukshëm më e lartë te grupet me arsim të ulët, punëtorët manualë dhe në disa zona të jugut si Provence-Alpes-Côte d’Azur dhe Occitanie.
Fenomeni i uljes së konsumit të duhanit nuk është vetëm francez. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, numri i duhanpirësve në botë ka rënë nga 1.38 miliardë në vitin 2000 në 1.2 miliardë në vitin 2024, pavarësisht rritjes së popullsisë globale. Por OBSH paralajmëron se industria po kundërpërgjigjet përmes produkteve të reja të vaporizimit që synojnë agresivisht të rinjtë, duke krijuar një rrezik të ri për varësi ndaj nikotinës.
Në prag të një tjetër “Muaji pa duhan”, autoritetet shëndetësore franceze shpresojnë që suksesi i dekadës së fundit të frymëzojë edhe më shumë qytetarë drejt një jetese pa duhan.
