
Ish-presidenti francez apelon për qetësi pas videos ku Zonja e Parë dëgjohet duke quajtur aktivistet feministe “kurva të ndyra”
Pas polemikës së ndezur nga deklarata e Brigitte Macron, e cila u regjistrua duke ofenduar aktivistet feministe që ndërprenë shfaqjen e komedianit Ary Abittan, François Hollande ka reaguar përmes një interviste në RTL duke bërë thirrje për maturi në komunikim.
Hollande tha se përballë aktivisteve që luftojnë kundër dhunës ndaj grave nuk duhen përdorur shprehje fyese, duke nënvizuar se klima shoqërore kërkon qetësi dhe jo tensione të reja. Ai theksoi se Brigitte Macron duhet të japë sqarimet e saj, ndërsa politika dhe publiku duhet të shmangin përshkallëzimin e gjuhës në debat.
Ky reagim pason kritikat e shumta ndaj Zonjës së Parë, ndërsa figura publike e aktiviste kanë shprehur zhgënjim për fjalorin e përdorur në video, duke e lidhur rastin me debatin në rritje për rolin dhe gjuhën ndaj lëvizjeve feministe në Francë.
