
Polonia dhe Rumania aktivizojnë mbrojtjen ajrore ndërsa Moska kryen sulme masive me raketa dhe dronë
Tensionet ndërkombëtare janë përshkallëzuar ndjeshëm pasi NATO u detyrua të ngrejë avionë luftarakë në ajër, pas një vale sulmesh intensive ruse me raketa dhe dronë ndaj Ukrainës. Forcat ajrore të Polonisë dhe aleatëve operuan pranë kufirit ukrainas, në një masë parandaluese për mbrojtjen e hapësirës ajrore.
Sipas komandës operacionale polake, avionët luftarakë, sistemet e mbrojtjes ajrore dhe radarët u vunë në gjendje gatishmërie për të siguruar zonat pranë rajoneve të kërcënuara. Alarm i ngjashëm u raportua edhe në Romani, ku autoritetet njoftuan për sulme ruse me dronë ndaj infrastrukturës portuale ukrainase pranë kufirit rumun dhe dërguan paralajmërime për popullsinë lokale.
Sulmet ruse goditën disa rajone të Ukrainës, duke shkaktuar viktima civile dhe dëme në objekte banimi, si edhe ndërprerje të energjisë elektrike në Kiev dhe zona të tjera. Ministria ukrainase e Energjisë bëri me dije se janë zbatuar ndërprerje emergjente të furnizimit me energji, ndërsa ekipet e shpëtimit do të nisin riparimet sapo situata e sigurisë ta lejojë.
Nga ana tjetër, Ukraina reagoi duke goditur objektiva strategjikë në Rusi, përfshirë një uzinë petrokimike të lidhur me industrinë ushtarake në rajonin e Stavropolit. Sulmet ndodhën në një moment delikat, mes përpjekjeve diplomatike për bisedime paqeje dhe deklaratave të forta nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili paralajmëroi se agresioni rus po vazhdon pavarësisht festave dhe presionit ndërkombëtar.
Përshkallëzimi i fundit ka rritur shqetësimet për një zgjerim të konfliktit përtej Ukrainës, ndërsa aleatët e NATO-s theksojnë se masat e marra janë mbrojtëse dhe synojnë shmangien e çdo incidenti që mund të përfshijë drejtpërdrejt vendet e Aleancës.
