 
        
Politikat e reja të emigracionit të administratës Trump kanë krijuar pasiguri dhe frikë mes komuniteteve me origjinë latine, duke çuar në anulimin e shumë aktiviteteve tradicionale në Kaliforni dhe Alabama.
Në Shtetet e Bashkuara, atmosfera festive e “Día de los Muertos”, një nga traditat më të dashura të kulturës latino për nderimin e të vdekurve, është zëvendësuar këtë vit nga frika. Nën kërcënimin e bastisjeve të mundshme të agjentëve të emigracionit, shumë komunitete në Kaliforni, Alabama dhe shtete të tjera kanë vendosur të anulojnë aktivitetet tradicionale për shkak të pasigurisë që ndjejnë emigrantët.
Në San Francisko, ku për 44 vite me radhë procesioni i mbrëmjes në lagjen historike Mission ka mbledhur mijëra njerëz të veshur me petka shumëngjyrëshe dhe piktura në fytyrë, organizatorët po përballen me një situatë të pashembullt. Louie Gutierrez, nga grupi “El Colectivo del Rescate Cultural de la Mission”, tha se megjithëse festa është një moment reflektimi dhe gëzimi, këtë vit ajo po zhvillohet nën hijen e frikës. “Ka një ndjenjë pasigurie në ajër, por gjithsesi, procesioni është pjesë e shpirtit tonë – ai ndodh, me apo pa organizatorë,” u shpreh ai.
Në Alabama, qyteti Decatur anuloi festivalin e tij tradicional të “Día de los Muertos”, duke përmendur rrezikun e bastisjeve nga autoritetet e emigracionit. Një ngjarje e ngjashme në Berkeley, Kaliforni, u anulua gjithashtu, pasi prindërit e nxënësve u shprehën të frikësuar se pjesëmarrja në event mund t’i ekspozonte ndaj autoriteteve. “Disa prindër kanë frikë të vijnë edhe në shkollë, e jo më në aktivitete publike,” tha Adriana Betti, drejtoreshë e organizatës “RISE”.
Sipas të dhënave të fundit, numri i personave në qendrat e paraburgimit të ICE është rritur me 59 për qind gjatë vitit të fundit, ndërsa janë kryer mbi 527 mijë deportime që nga nisja e mandatit të dytë të presidentit Donald Trump. Administrata ka paralajmëruar dërgimin e trupave federale në disa shtete, përfshirë Kaliforninë, për të zbatuar politikën e “deportimeve masive”.
Në Santa Barbara, drejtuesja e Muzeut të Artit Bashkëkohor, Dalia Garcia, deklaroi se anulimi i procesionit tradicional ishte një vendim i dhimbshëm, por i domosdoshëm. “Nuk mund të garantonim sigurinë e pjesëmarrësve në rrugë. Për shumë nga komuniteti ynë, dukshmëria bart rrezik,” tha ajo.
Megjithatë, Garcia nënvizoi se vendimi për të mos festuar nuk duhet parë si heqje dorë nga tradita, por si një akt ndërgjegjësimi. “Nuk them që askush të mos festojë, por duhet të reflektojmë se jo për të gjithë gëzimi është i mundur këtë vit,” shtoi ajo.
Në San Francisko, pavarësisht klimës së tensionuar, shumë banorë të lagjes Mission kanë vendosur të ruajnë frymën e festës. “Edhe nëse ICE do të vinte, ne do të ishim më të shumtë,” tha Gutierrez me vendosmëri. “Día de los Muertos është pjesë e identitetit tonë – dhe askush nuk mund ta ndalë.”

 
         
         
         
         
        