Mbi 7 tonë pjeshkë dhe gati 1 ton rrush të ndotur me pesticide të ndaluara në Bashkimin Europian janë futur në tregun shqiptar nga kompania “Fruit Co”, ndërsa autoritetet heshtin.
Gjatë muajit shtator, qytetarëve shqiptarë u janë shitur fruta të importuara nga Greqia që duhej të ishin groposur, për shkak të nivelit të lartë të pesticideve të rrezikshme.
Sipas të dhënave laboratorike, rreth 7300 kilogramë pjeshkë përmbanin Phosmet, një pesticid i ndaluar rreptësisht në të gjitha vendet e BE dhe në Shqipëri, ndërsa 882 kilogramë rrush rezultuan me përmbajtje të lartë të substancës Propamocarb, e njohur për efektet toksike në sistemin nervor dhe kardiovaskular të njeriut.
Megjithëse Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka detyrim ligjor për transparencë, institucioni ka refuzuar të bëjë publik emrin e subjektit importues, mësohet se bëhet fjalë për kompaninë “Fruit Co”, me administrator Bardhyl Muçën.
Edhe më shqetësuese është mungesa e kontrollit institucional. Burime nga AKU në Vlorë pretendojnë se rrushi nuk është shpërndarë në këtë qytet, ndërkohë që një faturë shitjeje e publikuar nga hetimi tregon të kundërtën, se produkti ka mbërritur pikërisht në tregjet e Vlorës.
Ky rast nxjerr në pah dështimin e institucioneve për të mbrojtur shëndetin publik dhe për të ndaluar hyrjen në treg të produkteve toksike. Specialistët paralajmërojnë se pesticidet e përdorura në këto fruta mund të shkaktojnë çrregullime të ritmit të zemrës, probleme me tensionin e gjakut, si dhe dëmtime në sistemin nervor, frymëmarrje e tretje.
