Një nga perlat e liqenit të Ohrit merr njohje ndërkombëtare për trashëgiminë e saj historike dhe peizazhin unik që bashkon kulturën me natyrën.
Fshati i Linit është zyrtarisht pjesë e zonave të mbrojtura nga UNESCO, pasi është shpallur “Ansambël Arkitektonik Urban”, duke u vlerësuar për trashëgiminë e rrallë kulturore, historike dhe natyrore që mbart.
Vendimi u bë publik nga kryeministri Edi Rama, i cili ndau pamje mahnitëse me dron nga fshati buzë liqenit të Ohrit, një nga destinacionet më të veçanta të Shqipërisë. “Mirëmëngjes nga fshati i bukur i Linit, që sapo është shpallur pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s”, shkroi ai.
Ky status ndërkombëtar i jep Linin një rëndësi të veçantë kulturore dhe turistike, duke e futur përfundimisht në hartën e vendeve që ruajnë identitetin tradicional shqiptar në përputhje me natyrën. Fshati njihet për rrugicat prej kalldrëmi, shtëpitë karakteristike me gurë dhe dru, si dhe harmoninë mes arkitekturës popullore dhe peizazhit të liqenit.
Arkeologët e kanë cilësuar Linin si një nga vendbanimet më të hershme të Evropës, me zbulime që dëshmojnë se këtu ndodhej një qendër palafite e periudhës prehistorike. Po ashtu, në majë të kodrës mbi fshat gjenden rrënojat e një bazilike paleokristiane, që shton vlerën historike të zonës.
Ky zhvillim shënon një tjetër arritje për trashëgiminë shqiptare, duke rritur mundësitë për zhvillim të turizmit kulturor dhe promovimin ndërkombëtar të pasurive të rajonit të Pogradecit.
