Hetimi i Prokurorisë së Tiranës zbulon mashtrime financiare, mjekë të palicencuar dhe medikamente të skaduara në dy klinika luksoze të kryeqytetit
Një skandal financiar dhe shëndetësor është zbuluar në Tiranë, ku me urdhër të Prokurorisë janë sekuestruar pasuritë e dy klinikave private “International Medicare” shpk dhe “Sante Plus Group”. Hetimet, të zhvilluara në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor dhe Seksionin e Krimit Ekonomik, kanë treguar se dy subjektet kanë fshehur të ardhura mbi 1 milion euro, duke shmangur detyrimet tatimore dhe duke operuar me mjekë të huaj të palicencuar.
Çështja nisi pas një kallëzimi nga një shtetas portugez, i cili pretendoi se ishte mashtruar nga klinika “International Medicare” pasi kishte paguar 5 200 euro për një ndërhyrje që nuk u krye kurrë. Hetuesit zbuluan se spitali përdorte mandate dore në vend të kuponëve fiskalë, duke mbajtur jashtë sistemit tatimor një numër të madh transaksionesh.
Gjatë kontrolleve, u gjetën fatura jo tatimore me vlerë mbi 1 milion euro, medikamente të skaduara dhe barna të ndaluara për përdorim jashtë institucioneve të licencuara. Një pjesë e stafit mjekësor rezultoi të ishte me shtetësi të huaj, kryesisht turke, pa leje për ushtrimin e profesionit në Shqipëri.
Sipas raportit tatimor, klinika “Sante Plus Group” kishte fshehur pagat reale të punonjësve, duke shmangur kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, si dhe kishte evazion të TVSH në vlerë miliona lekë. Nga viti 2018 deri në 2023, rezulton se subjekti ka përfituar në mënyrë të paligjshme rreth 35 milionë lekë nga mosdeklarimi i të ardhurave dhe taksave.
Hetimet treguan gjithashtu se pas vendosjes së sekuestrimeve mbi “Sante Plus Group”, ortakët dhe administratorët e saj regjistruan një subjekt të ri, “International Medicare”, me të njëjtën pronësi dhe drejtim, me qëllim shmangien e detyrimeve ndaj shtetit.
Prokuroria ka ngritur akuza për mashtrim, fshehje të të ardhurave dhe shmangie nga tatimi ndaj administratorëve të dy kompanive, ndërsa sekuestrimi i pasurive është bërë për të garantuar interesin ekonomik të shtetit dhe për të ruajtur provat gjatë hetimit.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar përgjegjësitë konkrete dhe për të verifikuar rrjetin e lidhjeve ekonomike që mund të përfshijë edhe kompani të tjera të lidhura me dy klinikat në fjalë.
