Furgoni që shfaqet në foto është mjeti i sekuestruar sot në zonën e Myslym Shyrit, brenda të cilit u gjet një arsenal prej 23 armësh zjarri të tipeve të ndryshme, nga më të zakonshmet deri te ato më të sofistikuarat. Automjeti ishte kamufluar me mbishkrimin “mirëmbajtje rrugore” dhe logon e një kompanie të njohur që operon në mirëmbajtjen e disa akseve kombëtare, duke pasur edhe të gjitha shenjat dalluese të këtij shërbimi.
Në pranga përfundoi 34-vjeçari Eugert Sino, ndërsa dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim. Për shkak të hetimeve, identitetet e tyre nuk janë bërë ende publike.
Gjatë kontrollit në mjet, policia gjeti dhe sekuestroi 12 pistoleta të markave “Beretta”, “Glock”, “Rex Delta”, “Ruger-57” dhe “Tanfoglio”, 6 armë automatike, 5 armë me tytë të gjatë të pajisura me shënjestër optike, 1 silenciator, 17 krehra për armë të ndryshme, pjesë armësh, 15 mijë fishekë, 17 kuti me pranga të ngjashme me ato të policisë, 12 celularë, pajisje për shpërthime në distancë, pajisje gjurmuese (GPS), bllokues valësh, numërues kartëmonedhash dhe 3 komplete uniformash të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit.
Burime pranë hetimit kanë bërë me dije se armët kishin si destinacion grupe kriminale me bazë në Tiranë, Laç dhe Burrel. Gjithashtu, gjatë operacionit është zbuluar edhe magazina ku ruhej arsenali, shumë pranë vendit të bastisjes.
Hetimet po vijojnë për të zbardhur origjinën e armëve dhe rrjetin e plotë të personave të përfshirë, ndërsa dyshohet se sasia e madhe e armëve është futur në Shqipëri nga Kosova.
