34-vjeçari që u arrestua nga Policia e Tiranës për furgonin e mbushur me armë pretendon se nuk kishte dijeni për ngarkesën, ndërsa hetuesit dyshojnë për një rrjet që furnizonte grupet kriminale në veri të vendit.
Hetimet për një nga ngjarjet më të bujshme të ditëve të fundit po thellohen. Eugert Sino, 34 vjeç, i arrestuar pas zbulimit të 23 armëve të zjarrit brenda një furgoni me mbishkrimin “Mirëmbajtja rrugore”, ka mohuar çdo përfshirje. Ai ka pranuar pronësinë e automjetit, por ka deklaruar se nuk kishte dijeni se kush i kishte vendosur armët në të.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, Sino dyshohet të jetë pjesë e një strukture kriminale që vepronte mes Tiranës, Laçit dhe Burrelit, e cila furnizonte grupe të ndryshme me armë, municione dhe pajisje të përdorura në atentate.
Për të shmangur kontrollin policor, autorët kishin përdorur një metodë të sofistikuar maskimi: furgoni ishte i veshur me logo të një kompanie ndërtimi, shirita sinjalizues dhe mbishkrimin “Mirëmbajtja rrugore”, duke e bërë të dukej si automjet shërbimi publik.
Sipas hetimeve, mjeti kishte qëndruar i parkuar për afro një muaj në zonën e “Myslym Shyrit”, një ndër zonat më të populluara të Tiranës. Për disa javë, agjentë civilë e kanë mbajtur nën vëzhgim, duke monitoruar çdo lëvizje përreth tij, derisa u dha urdhri për ndërhyrje.
Ndërhyrja u krye përmes një manovre të koordinuar me Policinë Rrugore: efektivët iu afruan mjetit me pretendimin se pengonte qarkullimin, ndërsa në momentin që Sino u shfaq për ta lëvizur, agjentët civilë ndërhynë menjëherë dhe e arrestuan në vend.
Nga operacioni i koduar “The Van” u sekuestruan 23 armë zjarri, mes tyre 5 snajperë, një silenciator, 17 krehra municioni luftarak, celularë, pajisje për shpërthime në distancë, bllokues valësh, uniforma të ngjashme me ato të Policisë, si dhe sende të tjera të ndaluara.
Ndërkohë, burime nga hetimi bëjnë me dije se pak metra larg vendit ku ndodhej furgoni, është zbuluar edhe një tjetër bazë e mundshme e grupit, ku dyshohet se janë fshehur pjesë të tjera të armatimit.
Eugert Sino vijon të qëndrojë në paraburgim, ndërsa policia po punon për të identifikuar bashkëpunëtorët e tij dhe origjinën e armëve që dyshohet të jenë destinuar për porosi kriminale.
